Wondering People: platforma dixhitale që ju afron me artin
Që Sophie Merrell do të përfundonte duke punuar në botën e artit ishte pak a shumë e paracaktuar. Të thuash se e ka në gjak është pak: nëna e saj është një tregtare e veprave të artit, babai i saj një botues librash arti dhe kumbarët e saj janë artistë. Megjithatë, pasi u largua nga universiteti i Edinburgut në vitin 2017 (ku studioi antropologji, por organizoi ekspozita arti në kohën e lirë) ajo u transferua në Amsterdam në fillim të 2018 për të punuar në post-produksion.
“Nuk ishte një punë veçanërisht kreative”, thotë Merrell me një nënqeshje të hidhur. Por ndodhi rastësisht, që këtu ajo u takua dhe u miqësua me Isabella Rothman. “Kur u operova nga apendiciti në vitin 2019, më duhej të qëndroja në shtrat për një kohë të gjatë dhe Isabella ishte ajo që u kujdes për mua. Në atë moment mendova: “Duhet të bëjmë diçka së bashku”. Ajo diçka është Wondering People: një platformë e kuruar që shfaq veprat e artistëve të pavënëre. “Ne kishim këtë ide për të bashkuar të gjithë artistët nga shtete dhe prejardhje të ndryshme”, shpjegon Merrell. “Ne donim vërtet t’i mbështesim këta artistë, të inkurajonim të rinjtë të blejnë vepra arti dhe t’i bëjmë gjërat shumë më të aksesueshme”. Kjo ide e lehtësimit të qasjes në një botë të rrënuar nga akuzat për elitizëm është një temë urgjente për Merrell. “Përpara se artistët të pranohen ose të përfaqësohen nëpërmjet një galerie, ata duhet të kenë një ‘CV’ të pasur me ekspozita. Është pothuajse e pamundur të kesh qoftë edhe një pikënisje”, shton ajo.
Komercializimi i veprave të artit dhe presioni për të gjetur yllin e radhës është diçka që Merrell e ka të vështirë ta pranojë, por kjo nuk është një barrë që i rëndon për sa i përket listës së Wondering People. “Kush vendos nëse një artist do të jetë premtues apo jo?”, thotë ajo me një zemërim të heshtur. “Ne përzgjedhim artistë nga panairet dhe shkollat e artit ose edhe nga Instagrami, sepse mendojmë se puna e tyre është vërtet cilësore. Natyrisht, ne duam që ata (dhe biznesi ynë) të kenë sukses, por ideja për të gjetur “artistin premtues” nuk është diçka që na intereson”.
Funmi Fetto është kryeredaktore globale e Service95 dhe një redaktore kontribuese e “British Vogue”
Isabella Rothman, Sophie Merrell (2023), Lottie Hampson; Seen (2023), Edwina Longe; Clash (2022), Barney Curran; Strawberry Cheesecake (2022), Zach Zono; Spouted Vase (2023), Ali Hewson; Varanasi (2017), Sophie Merrell; Growing Pains (2022), Anyaa Dev; Rinella (2022), Sophie Merrell; Your Creation (2023), Edwina Longe. All © Wondering People