“Ushqim autentik indian, pa rezerva”: Kryekuzhinieri që po ndryshon imazhin e kuzhinës amerikane
Tavolina më e vështirë për t’u rezervuar në Nju Jork mund të jetë fare mirë në një restorant brenda qendrës tregtare pranë një kinemaje “Regal”. Nuk ka mënyra të provuara ose të sigurta për të rezervuar një tavolinë në Dhamaka, restoranti që shërben “gatime provinciale indiane” në Essex Market. Por, nëse ia dilni mbanë, do të zbuloni kombinime shijesh (dhe doza të ndryshme djegëse) që shumë nuk i kanë provuar kurrë më parë; një biryani pikant me shumë shtresa, një koktej i bërë me gjethe beteli dhe, për më të guximshmit, testikujt e cjapit. Nuk është nevoja të theksojmë se Dhamaka është një aset revolucionar në skenën e kuzhinës në Nju Jork.
Chintan Pandya, kuzhinieri i vlerësuar me çmime që qëndron pas restorantit “Dhamaka”, dhe bashkëthemeluesi i tij, Roni Mazumdar, filluan zinxhirin e tyre të restoranteve të quajtur Unapologetic Foods, sepse donin të shërbenin “ushqim autentik indian, pa rezerva”. Qëndrimi që ka është në po atë nivel si qëllimet e guximshme të Pandya. “Ambicia ime ka qenë gjithmonë ta ngre ushqimin indian në një nivel tjetër”, thotë ai.
“Dua që kuzhina indiane të kthehet në kuzhinën më popullore në Amerikë”, thotë më tej Pandya. Ai përmend kuzhinat italiane dhe frënge si “kuzhinat më popullore” në krahasim me kuzhinën e pazhvilluar indiane në SHBA. Ai thotë më tej se industria ushqimore (dhe rrjedhimisht sektori i pasurive të paluajtshme) vazhdon të jetë e ndikuar nga racizmi. “Edhe sot ka qiradhënës që nuk duan t’i lëshojnë me qira ambientet e tyre për restorante indiane”, thotë Pandya, duke rrëfyer se si gjatë karrierës së tij shumë qiradhënës i kanë kërkuar qira të lartë dhe ia kanë anuluar marrëveshjet e qirasë.
Prej disa vitesh, “Unapologetic Foods” e ka transformuar pozicionin e ushqimit indian, duke shpërthyer në skenën e kuzhinës së Nju Jorkut me restorantet e saj të reja. Sigurisht, mes tyre janë “Dhamaka” dhe Semma, restoranti indianojugor i menaxhuar nga kolegu i Pandya, Vijay Kumar, i cili sapo iu bashkua listës së Best American Restaurants. të New York Times. Megjithatë, Pandya, po futet edhe në sektorin e ushqimit të shpejtë dhe me porosi në shtëpi me Kebabwala (një vend i shkëlqyer ekskluzivisht për qebapë, i cili është mjaft i rrallë në qytet) dhe Rowdy Rooster, një lokal i vogël në East Village që shërben sanduiçe pule pikante me pije mangoje dhe patëllxhanë me parmixhano që mund t’i hani pas pune rrugës për në shtëpi. “Njerëzit qeshin me ne, duke thënë, ‘Me gjithë këto restorante të suksesshme, ç’ju duhet një kioskë për të shitur pula të skuqura?’. Ndërsa përgjigja ime është ‘Na pëlqen shumë! Na pëlqejnë shumë pulat e skuqura’”, thotë Pandya. Dhe nëse menaxhimi i restoranteve të vlerësuara me shumë çmime (përfshirë Masalawala & Sons, një vend i ri jashtëzakonisht i suksesshëm në lagjen Park Slope) dhe ngritja e një perandorie të ushqimit të shpejtë nuk mjafton, “Unapologetic Foods” po punon gjithashtu për të hapur aerobanquets, që është një përvojë kulinare metaverse e ndërmjetësuar nga pajisje të realitetit virtual. (Ditën kur fola me të, Pandya rezervoi kohë për mua ndërmjet testimit në kuzhinë dhe takimeve në Facebook).
E gjithë kjo për të thënë se Pandya po bën shumë dhe me ritme të shpejta. Duke i qëndruar besnik standardeve të markës së tij, atij nuk i vjen keq për këtë. Nëse është dikush që mund të ndryshojë vërtet imazhin e kuzhinës indiane në Amerikë, atëherë është ai.
Colin Groundwater është gazetar i pavarur që jeton midis Londrës dhe Nju Jorkut, artikujt e të cilit janë botuar në revistat “GQ” dhe “Vanity Fair”