“U ndjeva si në ethe”: Shkrimtari Max Porter flet për mënyrën se si lindi romani i tij i ri Shy
Në verën e vitit 2021, shkrimtari Max Porter pa në ëndërr një djalë që ecte në pyllin përreth Bath, qytetit të tij në Angli. “Membrana midis djalit dhe drurëve ishte e hollë; ai dukej pothuajse transparent”, kujton ai i ulur pranë një porte të mbyllur të kanalit Kennet dhe Avon, duke treguar pyllin në dukje të përhumbur nga ku e kishte imagjinuar djalin. Porter kishte punuar vitin e kaluar në projekte që nuk kishin të bënin me prozën (duke përfshirë një instalacion arti në formën e një filmi me aktorin Cillian Murphy dhe duke shkruar tekste për muzikën me Bonnie ‘Prince’ Billy). Me pritjen e romanit të tij të radhës “kishte filluar edhe ndjesia e etheve”, thotë ai. Më pas, krejt papritur, një ditë u zgjua dhe ja ku ishte: ai që së shpejti do të bëhej protagonisti i tij i munduar emocionalisht ishte “brenda meje si një fantazmë”. Shy është libri që u shkrua brenda një kohe të shkurtër, bocën e parë të të cilit e shkroi në vetëm tri javë.

Zakonisht nuk ndodh kështu. Kjo ishte, thotë Porter, “hera e parë që nuk kisha bërë asnjë vizatim ose kërkim”, por tani ai është mësuar me të papriturat. Romani i tij debutues i vitit 2015 Grief Is The Thing With Feathers, historia e një babai dhe e dy djemve të tij që vajtonin vdekjen e matriarkes së tyre në shoqërinë e një sorre të zhurmshme, u ble nga një botues amerikan për 1000 sterlina. Nga libri pritej të shiteshin 60 kopje, por tani është libri më i shitur i përkthyer në 27 gjuhë dhe i përshtatur në një dramë të njohur.
Pavarësisht suksesit të papritur të romanit të tij të parë, presioni nuk e ka ndryshuar mënyrën se si Porter shkruan: “Jam me fat, sepse kjo ka qenë gjithmonë pikënisja ime: të bëj punën që dua. Nuk më duhet ta drejtoj anijen time drejt asaj që dua të bëj”.
Romani i tij i fundit tregon historinë e një adoleshenti të paprivilegjuar, Shy, në pelegrinazhin e tij patologjik drejt vetëvrasjes. Porter eksploron të kaluarën e djalit përmes zërave të shkëputur të të tjerëve: nënës së tij në ankth, një fantazme dhe stafit të shkollës për fëmijët me probleme ku ai jeton.
Shkrimtari flet për personazhet e tij sikur të mos i kishte krijuar ai, por ndoshta i ka zbuluar në ëndrra. “Shy mund të mos shprehet shumë mirë, por busulla e tij politike është e patëmetë”, shton ai. Aktori irlandez Murphy, i cili luajti në rolin kryesor të versionit skenik të Grief, e vuri gjithashtu në dukje këtë: “Personazhet dhe veprat e Porter paraqesin një humanizëm dhe brishtësi që të thyen zemrën”, tha ai për Service95. “Por gjithçka ai e rrëfen me zgjuari dhe kujdes”.
Në të dy romanet, Grief dhe Shy, fëmijët dhe të rinjtë përshkruhen me një respekt dhe saktësi emocionale që rrallë shfaqet jashtë letërsisë për të rinjtë. Është një pasqyrim i këndvështrimit të Porter mbi forcën e adoleshencës. “E urrej që njerëzit priren të minimizojnë egërsinë e përvojës së adoleshencës. Është një snobizëm i lindur psikologjik, që për mendimin tim, është jo vetëm i vjetruar por edhe i rrezikshëm e vetëshkatërrues. Si shoqëri mund t’u kushtojmë më shumë vëmendje adoleshentëve. Do të dëshironim shumë që shoqëria e të rriturve të ishte si ata”.
Shy mund të jetë një roman për një djalë dhe trishtimin e tij, por shërben gjithashtu si një shëmbëlltyrë moderne e thirrjes sonë për ndihmë në një botë që po digjet. Një mëngjes kur u takova me Max, IPCC kishte dhënë një “paralajmërim të fundit“ për politikëbërësit për të luftuar krizën klimatike ose përndryshe do të përballen me dëme të pakthyeshme. “Është sikur shkencëtarët po bërtasin që bota t’i dëgjojë ata”, thotë Porter. “Kjo për mua ndihej më shumë si Shy”.
Shkrimtari Douglas Greenwood që jeton në Londër, është redaktor kontribues për revistën “i-D” dhe ka shkruar për prestigjiozet “New York Times”, “GQ” dhe “Vogue”.