Stampimet e tekstileve të Warhol: një portret i artistit pre-pop
Andy Warhol mund të ketë gati 40 vjet që ka vdekur, por prania e tij është ende shumë e gjallë në vitin 2023 dhe mund të gjendet kudo nga Netflix te burimet e mediave sociale. Megjithatë, pavarësisht se gjendet kudo, ka pjesë të veprës së këtij artisti që ende nuk janë eksploruar. Një shembull? Stampimet e tij të tekstilit, të cilat janë në fokus të ekspozitës më të fundit të Warhol në Fashion & Textile Museum në Londër, e cila është ende hapur.

Në ekspozitë janë më shumë se 60 dizajne tërheqëse dhe dinamike të krijuara nga artisti në vitet 1950 që përshkruajnë gjithçka, nga ëmbëlsirat dhe klounët, te fluturat dhe kuajt: vepra e një arti pre-pop alla-warhol në valën e suksesit si artist komercial. Richard Chamberlain, kurator i ekspozitës, i përshkruan ato si “një tjetër atu për Warhol që në atë kohë përfshinte gjithashtu kopertina librash dhe disqesh, kartolina urimi dhe letra mbështjellëse”.
Geoff Rayner, bashkëkurator i Chamberlain, beson se këto vepra mund të shihen si pjesë e evolucionit të Warhol drejt kanaçeve të supave dhe portreteve të Marilyn që njohim dhe duam. “Modelet e përsëritura në pëlhura sigurisht që ndihmuan drejtpërdrejt në formimin e artit të tij pop. Një shembull i rëndësishëm është edhe stampimi i tekstileve për kompaninë njujorkeze të Leon Rosenblatt, për të cilat ai krijoi rreshta kopsash, të gjithë paksa të ndryshëm. I njëjti koncept u përdor rreth tre vjet më vonë në pikturat e tij ikonë të kanaçes së supës dhe të shishes Coca-Cola”, shton ai.

Ndërsa të gjitha dizajnet në ekspozitë kanë hijeshinë e tyre, shumë zbulojnë gjithashtu detaje rreth stilit të jetesës së Warhol. “Ai ishte një frekuentues i rregullt i kafenesë, restorantit dhe butikut legjendar “Serendipity” të Nju Jorkut, në pronësi të mikut të tij të ngushtë Stephen Bruce”, shpjegon Chamberlain. “Thuhet se ai ishte shumë i dhënë pas ëmbëlsirave dhe se shpesh shihej atje duke ngrënë akullore të shtrenjta”. Këto përvoja përkthehen në një sërë stampimesh prej tekstili të lidhura me ushqimin, duke përfshirë disa akullore të shijshme.
Warhol ishte jashtëzakonisht i suksesshëm si artist komercial. Ai fitoi mjaft të ardhura sa të mund të blinte një shtëpi në Upper East Side dhe të mbështeste financiarisht veten gjatë tranzicionit të tij drejt arteve të bukura. Por veprat e tij komerciale mbeten një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së tij. “Mënyra se si Warhol i lartësohen objektet e përditshme shihet qartë në modelet e tij të tekstileve”, thotë Chamberlain. “Ato nuk janë krijuar në bazë të disa parimeve të caktuara, kështu që janë më shumë një shembull i ‘artit për artin’”. Ato janë gjithashtu, ashtu si në këtë ekspozitë, edhe një mënyrë tjetër se si Warhol do ta ruajë famën e tij edhe sot për 15 minuta të tjera.
Andy Warhol: The Textiles, do të qëndrojë hapur deri më 10 shtator 2023 në Fashion & Textile Museum në Londër.
Lauren Cochrane është shkrimtare me përvojë e modës për “The Guardian” dhe autore e librit The Ten