Si të ndaloni së shqetësuari për mungesën e gjumit
Është ora tre e mëngjesit dhe përsëri e keni të pamundur të flini. Kontrolloni aplikacionin e gjumit. Ju nuk keni fjetur fare dhe duhet të zgjoheni pas rreth 230 minutash. Në këtë rast rrëmbeni smartfonin dhe filloni të kërkoni urgjentisht në Google “Si të biem në gjumë” dhe “Ushtrime të frymëmarrjes për të larguar pagjumësinë”. Zemra ju rreh shpejt, ju trazohen mendimet dhe ndërkohë, ja, ora është 03:20. Çfarë do të bëni?
Cilido që ka vuajtur nga pagjumësia, stresi emocional që lidhet me mungesën e gjumit, mund të ketë po aq efekte negative sa edhe implikimet fizike. Por kjo nuk duhet të na befasojë pasi vazhdimisht na thuhet se një gjumë i mjaftueshëm është thelbësor për shëndetin tonë të përgjithshëm. Efektet kumulative të mungesës së gjumit janë shoqëruar me një gamë të gjerë rreziqesh shëndetësore, nga depresioni tek ankthi, nga dobësimi i sistemit imunitar te sëmundjet e zemrës dhe madje edhe një mundësi më e madhe për lëndime. Mungesa e gjumit të mjaftueshëm mund të na bëjë të ndihemi sikur po dalim nga udha ose po kryejmë ndonjë krim të tmerrshëm kundër vetes.
Çështja është se nivelet e larta të stresit mund të komprometojnë ndjeshëm gjumin tonë, kështu që paniku ose fiksimi pas modeleve të gjumit ndoshta nuk do të na ndihmojë. “Ne lexojmë shumë në media se nëse nuk fle ose do të vdesësh ose do të çmendesh, saqë gjumi tashmë është kthyer në një performancë sportive”, thotë Dr. Neil Stanley, ekspert i pavarur i gjumit dhe autor i librit How To Sleep Well. “Ne kemi aparate dhe pajisje elektronike që na tregojnë se si flemë dhe këto gjëra janë krejtësisht të padobishme... Shqetësimi për gjumin është ndoshta gjëja që e saboton më shumë atë”.
Dr. David Lee, drejtor klinik i Sleep Unlimited dhe autor i librit Teaching The World To Sleep, pajtohet me mendimin se ankthi i gjumit nuk është kurrë i favorshëm për një fjetje të qetë. “Kur dikush nuk fle mirë, kjo vetëm sa do ta përkeqësojë problemin”, thotë ai. “Por gjumi është një proces normal biologjik dhe nuk mund ta shmangim. Edhe ata me pagjumësi më të theksuar, prapëseprapë flenë. Pra, ajo që ne themi për të qetësuar njerëzit është se herët a vonë ata do të flenë dhe problemi është se ata shqetësohen shumë. Në këtë rast duhet të ndaloni së menduari rreth tij”, thotë ai.
Megjithatë, gjumi i mjaftueshëm mund të duket si një mision i pamundur: duhet t’i japim përparësi gjumit, por jo aq shumë sa të fiksohemi pas tij. E si mund të arrihet kjo? Lee thotë se është e rëndësishme të mbani mend se ritmet tona cirkadiane (cikli ynë natyror gjumë-zgjim) funksionojnë në intervale me nga 90 minuta. Kështu që, nëse nuk mund të flini, ngrihuni dhe bëni diçka tjetër derisa t’ju zërë gjumi. Dhe më e rëndësishmja, mos u stresoni ose mos supozoni se është fundi i botës. “Nëse nuk flini brenda 20 minutave, nuk ka kuptim që të torturoni veten. Ngrihuni, dilni nga dhoma dhe bëni diçka për të shpërqendruar veten për gjysmë ore”.
Stanley thekson se nuk do të vdisni nëse nuk flini. Sigurisht që do të keni një natë të vështirë, por e nesërmja mund të jetë ndryshe, prandaj mos e mundoni veten. “Askush nuk ka vdekur ndonjëherë nga mungesa e gjumit”, shton ai. “Amerikanët kanë një thënie të mrekullueshme: ‘Nëse jo sonte, atëherë nesër mbrëma’”. Edhe ai me pagjumësi më të theksuar do të ketë një ose dy net të mira gjumi. E rëndësishme është që të mos e shihni gjumin si një sport konkurrues dhe të mos gjykoni se si ndiheni bazuar në sa orë keni fjetur”.
Daisy Jones është shkrimtare e kulturës, redaktore dhe autore e librit All The Things She Said. Artikujt e saj janë botuar në revistat “Vice UK”, “British Vogue”, “Dazed”, “The Guardian” e shumë të tjera