“Për mua, historia dhe e vërteta janë të rëndësishme” – Filmi i Gillian Mosely mbi konfliktin izraelito-palestinez
Regjisorja Gillian Mosely, fituese e çmimit “Bafta”, u rrit si hebreje në një shtëpi me zakone të forta sioniste. Megjithatë, miqësia me një palestinez mysliman homoseksual e detyroi të sfidonte atë që kishte besuar që prej fëmijërisë për Palestinën. Kjo, thotë ajo për Service95, është ajo që e frymëzoi për të realizuar filmin The Tinderbox, i cili eksploron konfliktin e kaluar dhe të tashëm izraelito-palestinez
Kur isha rreth 17 vjeç, takova Tamer në “Taboo”, – klubi ikonë i natës në Londër i Leigh Bowery. Në atë kohë na interesonin vetëm klubet e natës dhe festat, si dhe çfarë vishnim për të shkuar atje. Kaluan plot pesë vjet, para se të kuptonim se unë isha hebreje dhe ai palestinez. Në shtëpinë e tij, gjatë darkës, dëgjoja biseda se çfarë i kishte ndodhur familjes së tij, dhe një pjesë e mirë e tyre thjesht nuk përputhej me atë që më kishte mësuar familja ime e madhe sioniste. Dhe sa më shumë zbuloja, aq më shumë mendoja: “Prit një sekondë, kjo nuk është e drejtë”. Dhe kështu, filmi im – edhe pse i ashpër lidhur me rolin e Britanisë në tkurrjen e të drejtave palestineze – ka të bëjë me të vërtetë edhe me vetreflektimin e komunitetit hebre. Është një pasqyrë në të cilën disa hebrenj nuk duan të shohin. Si një hebreje, kjo për mua ka qenë e vështirë. Pjesëtarët e familjes sime dhe njerëz të tjerë që njoh kanë zgjedhur të mos e shohin filmin. Por besoj se kjo është diçka me të cilët ne hebrenjtë duhet të mësohemi, sepse nëse nuk e bëjmë ne, të tjerë do ta bëjnë për ne. Ka pasur disa momente interesante ndryshimi gjatë vitit të kaluar, shumica e të cilave besoj se ka ndodhur falë lëvizjes “Black Lives Matter”. Hebrenjtë e rinj liberalë që e mbështesnin fushatën e “Black Lives Matter” s’mund ta kuptonin se përse miqtë e tyre po ndryshonin krejtësisht dhe po mbështesnin palestinezët. Ka pasur shumë kriza të vogla identiteti rreth këtyre lloj gjërave, dhe unë kam shumë simpati për to. Por për mua, historia dhe e vërteta janë të rëndësishme. Për mua është më mirë të di të vërtetën dhe të përballem me të, në vend se ta shmang. Një argument shumë i diskutuar është se kritika ndaj Izraelit për këtë çështje është thjesht pjesë e retorikës së antisemitizmit, por unë mendoj se kjo varet nga fakti se kush e bën kritikën dhe si e bën këtë. Nuk jam aspak dakord me ata njerëz që thonë se të jesh kundër qeverisë izraelite është të jesh antisemitik. Është krejt e mundur të kritikosh qeverinë pa qenë antisemitik. Kisha qenë shpesh në Bregun Perëndimor në të shkuarën, por kur shkova në Hebron, kjo gjë që më dha më shumë kohë për të menduar. Hebroni është një miniaturë e konfliktit të dukshëm. Është një vend ku në të vërtetë ka rreth një mijë kolonistë hebrenj që i përkasin vijës së ashpër, të cilët i mundojnë palestinezët. Unë dhe ekipi im i pamë me sytë tanë shumë nga këto. Ata janë të mbrojtur nga ushtria izraelite, por hebrenjtë i ngacmojnë palestinezët, ndërsa ushtria izraelite nuk bën asgjë për këtë. Në qytet banojnë rreth 200,000 palestinezë, megjithatë Qyteti i Vjetër është pushtuar plotësisht nga mijëra hebrenj që jetojnë aty. U trondita shumë nga kjo. Vlen gjithashtu të përmendet se po flasim për krizën më të gjatë të refugjatëve në botë. Para luftës në Ukrainë, një e treta e refugjatëve në botë ishin palestinezë – dhe si popull, ata kanë qenë refugjatë për rreth 70 vjet. Mesatarja është 20 vjet. Por nuk mendoj se do të arrij të ndryshoj mendjen e hebrenjve të linjës së ashpër. Pra, filmi synon njerëzit (hebrenj dhe johebrenj) që janë të pavendosur. Filmi u bën thirrje atyre që t’i kushtojnë vëmendje historisë – një histori që ndjeva se duhej ta tregoja. Unë vij nga tri linja të hershme të mësuesve fetarë rabi – ne ishim disa nga kryerabinët më të hershëm të Britanisë – unë jam një udhëheqëse e komunitetit dhe si regjisore e historisë me atë sfond ndjeva se, nëse nuk mund të them asgjë për këtë situatë, atëherë askush tjetër nuk mundet. Si familje, na u desh ta shmangnim që herët bisedën rreth konfliktit izraelito-palestinez, pasi do të kthehej në një grindje të madhe. Por diçka duhej thënë. Shpesh dëgjon gjëra që thonë njerëzit, dhe ata etiketohen si hebrenj që urrejnë veten e tyre, diçka që është absurde. Për mendimin tim, hebrenjtë që rrezikojnë pjesën tjetër të hebrenjve për shkak të qëndrimit të tyre të ashpër po na vënë të gjithëve në rrezik. Kjo për mua, do të ishte një mënyrë më logjike për të krijuar ‘hebre që urren veten’. The Tinderbox po shfaqet në internet në “Curzon Home Cinema” – kështu që shikojeni këtu