“Pa filtër dhe shumë origjinale” – Douglas Stuart për imazhet e jashtëzakonshme që frymëzuan Shuggie Bain
Douglas Stuart është autori i Shuggie Bain, i pari libër i muajit në Klubin e Librit Service95. Romani flet për një djalë të ri që u rrit në varfëri në Glasgoun e viteve 1980. Këtu, Stuart prezanton një set fotografik të zgjedhur prej tij që e frymëzoi për librin, që përfaqëson mosbindjen, qëndresën dhe krenarinë e komuniteteve të klasës punëtore shpesh të anashkaluar.

Përpara se të bëhesha shkrimtar kam punuar në fushën e modës për 20 vjet dhe që atëherë jam frymëzuar gjithmonë nga fotografia. Kështu, që në fillim të procesit të shkrimit, unë mbledh sa më shumë foto që mundem, si edhe copëza pëlhure ose kopsa – çfarëdo që më kthen në kohën dhe vendin për të cilët shkruaj – që më ndihmojnë të krijoj atmosferën e duhur. Zgjodha këtë koleksion të veçantë fotosh sepse i kam shumë për zemër dhe janë boshti i shkrimit të romaneve të mia.

Ato pasqyrojnë komunitetin e klasës punëtore në Glasgou dhe veriun e Anglisë që shpesh injorohej nga fotogazetaria tradicionale. Në fakt, dy prej tyre ishin rezultat i një detyre që gazeta The Sunday Times i ngarkoi gazetarit francez Raymond Depardon për të treguar se sa modern ishte Glasgou dhe se sa progres kishte sjellë skema e re e banesave sociale në qytet. Ajo që ai gjeti atje nuk ishte gjë tjetër veçse njerëz të zakonshëm të periferive të lënë pas dore në një qytet që po degradonte me ritme të shpejta.
Djali me çamçakëzin rozë është Shuggie për mua. Më pëlqen guximi që tregohet nëpërmjet asaj flluske rozë – çamçakëzi ishte e vetmja gjë rozë që u lejohej djemve, prandaj kjo e bën atë disi të veçantë. Fotoja është bërë pranë kantiereve të anijeve të kompanisë Govan në Glasgou [që punësonte kaq shumë njerëz në vitet ‘70 dhe ‘80] dhe ti dallon shtypjen kanosëse të industrisë që do të pllakosë të gjithë djemtë e qytetit. Dallon gjëra fëmijërore si portat e futbollit të vizatuara në muret përkarshi kantiereve më të mëdha të anijeve në qytet. Fëmijëri që shndërrohet shpejt në burrëri; të dyja janë kaq pranë njëra-tjetrës, gjë të cilën jam përpjekur ta pasqyroj në shkrimin tim.

Në këto foto shikoj njerëz të bashkuar nga klasa shoqërore. Nuk e dokumentojmë shpesh jetën e klasës punëtore, kështu që foto të tilla pa filtër dhe tepër origjinale janë dëshmi të jashtëzakonshme. Më duket sikur i njoh të gjithë këta njerëz. Ndjej një lidhje të thellë personale me subjektet në një mënyrë që nuk e përjetoj me të gjitha fotografitë.

Ekziston një ndjesi e kalimit të kohës, ajo e rrënimit, e shpresës, e ngritjes dhe së fundmi, e forcës. Më pëlqen qëndrueshmëria në këto foto; entuziazmi i vajzës në makinë, burrat teksa qeshin në cep të rrugës. Më pëlqen fryma e mosbindjes. Vajza është kaq e çlirët dhe e ngazëllyer, tamam si ata burrat. E respektoj vërtet këtë. Gjithashtu më pëlqen krenaria e madhe e vajzës me xhaketën e kuqe. Ky është lloji i krenarisë që u përpoqa të tregoja nëpërmjet Lizzie, gjyshes së Shuggie. Mund të mos kesh shumë, por nuk mund të dalësh kurrë nga shtëpia pa rregulluar flokët dhe pa veshur pallton më të mirë.

Këto foto janë kaq të fuqishme për mua, sepse ato janë autentike, guxojnë. Unë vetë u rrita në varfëri dhe megjithëse më mësuan se duhet të krenohesha që i përkisja klasës punëtore, prapë kisha një ndjesi të thellë turpi për varfërinë. Pavarësisht nëse je nga Apalashet, Pitsburgu ose Parisi, shoqëria nuk dëshiron ta hedhë vështrimin nga njerëzit e vërtetë që vuajnë. Dhe ajo që më pëlqen në këto foto është se nuk mund t’i heqësh sytë nga ato, sepse kanë një forcë kaq tërheqëse. Kanë kaq shumë krenari. Ato shërojnë shumë gjëra brenda meje.