Njihuni me sërfistet që thyejnë dallgët – dhe tabutë kulturore – Në Maldive
Naha Nasrulla mund të jetë sërfistja e vetme në botë, e cila në fakt nuk di të notojë. Nuk është se 23-vjeçarja nga Maldive ka frikë nga uji. Por e rritur në një komunitet konservator në jug të këtij arkipelagu të ishujve parajsorë në oqeanin Indian, Nasrulla u ndalua nga nëna e saj të futej në ujë që dielli tropikal të mos ia nxinte më shumë lëkurën e saj ngjyrë kafe të lehtë. Nasrulla e pranon kur thotë, “Kjo është diçka raciste”. “Sidomos ndër të moshuarit. Ata nuk duan që të nxihesh shumë. Nuk më kanë lënë të futesha në det deri në moshën 18-vjeçare”. Mikesha e saj është e të njëjtit mendim: “Kjo më ka ndodhur edhe mua me gjyshërit e mi. Dikur edhe unë isha shumë e bardhë. Por tani që jam nxirë, ata do të thonë: “Ja, prapë po futet në oqean kjo. Shikoja ngjyrën tani, është nxirë kaq shumë’”. Qëndrimet ofenduese kulturore lidhur me ngjyrën e lëkurës nuk janë pengesat e vetme që hasin gratë sërfiste në Maldive. Ky është një vend mysliman, dhe nocionet patriarkale për rolet gjinore janë të rrënjosura thellë. Aya Naseem, një biologe detare dhe sërfiste e apasionuar, flet për “ngacmimet në rrugë” kur e kanë parë për herë të parë, teksa i ishte drejtuar oqeanit me sërfbordin e saj. “Në fakt, kur fillova të bëj sërf, ky nuk ishte sport për femra. Ishte një njollë turpi”, kujton ajo. Falë përpjekjeve të vogla të Naseem, në dekadën e fundit gjërat kanë ndryshuar vërtet. Pengesa e fundit ndaj pjesëmarrjes së femrave në sportin e sërfit u hoq në vitin 2021 kur Shoqata e Sërfistëve të Maldiveve pranoi të përfshinte për herë të parë kategorinë e femrave. Naseem rrëmbeu çmimin e parë, ndërsa Nasrulla doli e treta. Pasi kanë mposhtur racizmin dhe seksizmin për të dalë dhe kapur dallgët, vajzave u mbetet ende një sfidë për të përballuar: shkëmbinjtë e mprehtë koralorë që shtrihen nën ujërat e dallgëve më të përshtatshme të shkëmbinjve ujorë. “Kemi shenja dhe prerje në gjithë trupin”, thotë Nasrulla. Frika më e madhe e Shujës janë iriqët e detit. “Ata janë shumë helmues”, thotë ajo. Por adrenalina e sërfit i maskon dhembjet. Naseem thotë: “E kupton vetëm kur kthehesh. Dje kishte gjak në varkë dhe thashë: “Nga po del ky gjak? Dhe vura re që rridhte nga këmba ime!”. Mjerisht, barrierat koralore në Maldive tani janë të kërcënuara. Shumë korale janë shkatërruar nga portet dhe nga zhvillimet e tjera, dhe ndryshimet klimatike janë një kërcënim ekzistencial për shkëmbinjtë koralorë jo vetëm në këta ishuj, por edhe në mbarë botën. Ndërsa oqeanet tropikale ngrohen, koralet zbardhen pasi uji ngrohet aq shumë saqë s’mund t’i ruajë algat, të cilat mbajnë gjallë polipet e vogla koralore. Naseem shpjegon: “Ne humbasim shumë korale sa herë që kemi raste zbardhimi. Dhe kjo është shkatërruese për ne, sepse kur humbasim shtresën e sipërme të koraleve, kjo është sikur po humbasim një dallgëpritëse. Ishujt janë më të ekspozuar, kështu që ata fillojnë të gërryhen”. Naseem është bashkëthemeluese e Institutit Koralor të Maldiveve, i cili po përballet me një betejë të pashpresë për të shpëtuar shkëmbinjtë koralorë. “Por sporti i sërfit mbetet gjithmonë një pasion. Kur ndodhesh mbi bordin e sërfit, ndjesia është e pakrahasueshme”, shprehet ajo gjithë entuziazëm. Dhe gjatë këtij aktiviteti, më në fund Nasrulla po mëson të notojë. “Ajo po ia del për mrekulli”, thotë Naseem. “Sot ia shtymë tutje bordin e sërfit dhe asaj iu desh të notonte drejt tij”. Ajo ndalon. “Noti i qenit është një stil krejtësisht i pranueshëm për t’u kthyer te bordi juaj i sërfit”. 5 aktivitete që duhet t’i bëni në Maldive
- Konsumoni mashuni roshi për mëngjes – një pjatë tradicionale me ton, kokos, limon jeshil dhe spec djegës.
- Vizitoni kryeqytetin Malé. Mos e lini pa vizituar Xhaminë e së Premtes së Vjetër; një strukturë e bukur prej guri koralor që daton nga viti 1656.
- Vizitoni një familje maldiviane për të shijuar ‘ushqime të lehta’ (ushqime të lehta tradicionale). Për organizimin e kësaj mund të kujdeset resorti turistik ose bujtina e qëndrimit.
- Notoni me rajat dhe peshkaqenët balenë në gjirin e Hanifarut, një rezervat biosferë e UNESCO-s.
- Notoni me maskë për zhytje nëpër shkëmbinjtë koralorë për të parë breshkat, peshkaqenët dhe peshqit e jashtëzakonshëm tropikalë.