Nëse spiking është kthyer në epidemi, pse nuk konsiderohet ende si vepër specifike penale në Mbretërinë e Bashkuar?
Spiking – kur dikush hedh alkool ose drogë në pijen e një personi tjetër ose në trupin e tij pa dijeninë dhe/ose miratimin e tij – është kthyer në një temë shumë të nxehtë gjatë vitit të fundit. Helena Conibear, Drejtore Ekzekutive e Alcohol Education Trust deklaron se kjo çështje ka arritur nivele “epidemike”. “Tashmë kjo po i ndodh një në 10 personave dhe mund t’i ndodhë çdokujt në ambiente të ndryshme”, thotë ajo. “Është përhapur kaq shumë sepse dënimet për këtë janë të lehta”. Ajo kërkon që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ta rishikojë legjislacionin, i cili sipas saj “nuk po funksionon”.
Sipas National Police Chiefs’ Council, në Angli dhe Uells, në 12 muajt para muajit shtator të vitit 2022 janë raportuar pothuajse 5,000 raste të spiking si ato me shiringa ashtu edhe me alkool. Edhe pse shpesh mendojmë se spiking është diçka që u ndodh në raste më të shumta grave, në të vërtetë kjo është e përhapur shumë edhe në komunitetin LGBTQIA+. Në vitin 2020, Reynhard Sinaga – i njohur edhe si ‘përdhunuesi më serial i Britanisë’ – u dënua për 136 përdhunime kundër dhjetëra të rinjve në Mançester, të cilët drogoheshin e më pas sulmoheshin pasi kishin humbur ndjenjat. Spiking ndodh në bare, lokale nate dhe festivale, por edhe në festat në shtëpitë private kur ndodhin 35% të sulmeve. Gjithashtu një numër shumë i lartë i rasteve nuk raportohet, veçanërisht kur viktimat janë burra heteroseksualë, për shkak të stigmës që sjell ky krim. E megjithatë, në janar qeveria britanike deklaroi se nuk ishte e nevojshme që spiking të shndërrohej në një vepër specifike penale, duke refuzuar kështu kërkesat e parashtruara prej kohësh nga aktivistët. Arsyeja?
Në gjendjen aktuale, mund të dënohesh për krimet që lidhen me spiking, siç janë përdhunimi dhe vjedhja, e cila sipas qeverisë është e mjaftueshme. Gjithashtu ligji “Për krimet ndaj personit” i vitit 1861, sipas të cilit detyrimi i përdorimit të substancave ndaj një personi me qëllimin për ta lënduar fizikisht ose emocionalisht konsiderohet krim, përfshin edhe spiking. Pra, tashmë ekziston një bazë ligjore. Megjithatë, “shtrohet pyetja: pse nuk është përdorur sa duhet?”, pyet David Corker, bashkëdrejtues i zyrës ligjore londineze “Corker Binning”. “Aktivistëve nuk u pëlqen [ligji ekzistues] sepse ai rrallëherë çon në dënime”.
Por nuk është vetëm legjislacioni që duhet të ndryshojë. Është e nevojshme që të bëhen trajnime dhe njerëzit duhet të edukohen për mënyrën se si të trajtojnë në mënyrë të efektshme dhe të ndjeshme spiking dhe të mbështesin viktimat e tij. Conibear shton se: “Spiking zakonisht përdoret për të lehtësuar sulmet seksuale ose grabitjen, por në shumicën e rasteve nuk mbaron me kaq. Kriminelët duhet ta kuptojnë se ata do të përballen me dënimet për aktin e spiking në vetvete, e jo vetëm për qëllimin e kryerjes së tij. Në këtë moment, nuk ka asnjë mekanizëm parandalues”.
5 burime që duhet të dini në rast ndihme dhe mbështetjeje
- Stamp Out Spiking – një organizatë jofitimprurëse e cila rrit ndërgjegjësimin në lidhje me rreziqet e spiking dhe ofron zgjidhje praktike që ju dhe miqtë tuaj të ndiheni të sigurt.
- Victim Support – një shoqatë e pavarur bamirësie e cila mbështet viktimat e krimit dhe të incidenteve traumatike në Angli dhe Uells.
- Talk To Frank – një organizatë e përkushtuar në ofrimin e mbështetjes dhe informacionit të saktë mbi drogat, ndikimin e tyre dhe ligjin.
- Nightline – një shërbim dëgjimi dhe informacioni i ofruar nga studentë, i hapur gjatë natës.
- Rape Crisis – ofron mbështetje dhe shërbime për gratë dhe vajzat që kanë rënë pre e abuzimit seksual, dhunës ose përdhunimit.
Ella Alexander është redaktore kontribuese dixhitale për revistën “Harper’s Bazaar” dhe ka shkruar artikuj për “Glamour UK”, “Italy Segreta” dhe “Mr. And Mrs. Smith”