Mënyra se si punoj... Mimosa Echard
Në serinë tonë, ne vështrojmë sendet, vendet dhe njerëzit që frymëzojnë jetën profesionale të një krijuesi. Funmi takon artisten Mimosa Echard
Mimosa Echard është një artiste vizuale franceze dhe fituese për 2022 e çmimit Marcel Duchamp, vlerësimi më prestigjioz për artin në Francë. Vepra e saj, e cila eksploron lidhjen midis natyrës dhe artikujve të konsumit, nga qeramika te videolojërat, përshkruhet nga Art News si “një botë ëndrrash ku njerëzit dhe bimët bashkëjetojnë”. Nga ana tjetër, Echard shprehet se: “E kam të pamundur të përshkruaj punën time, kështu që një mikeshë më tha që duhet të them thjeshtë se është ‘rozë’”. Së bashku me kryeredaktoren globale të Service95 Funmi Fetto, ajo diskuton për kopshtarinë, ëndrrën e saj për liri dhe se si The Real Housewives Of Beverly Hills frymëzoi punën e saj.

Për rutinën e saj të mëngjesit… Dita ime fillon duke shkuar nga shtëpia ime në Gare du Nord në Paris për në studio në Nogent-sur-Marne në periferinë lindore. Është një tren që shkon atje direkt nga apartamenti im. Më pëlqen shumë ky moment, [është kur] unë organizoj ditën, shkruaj, lexoj. Në këtë moment po lexoj biografinë e Kate Bush The Secret History Of Kate Bush And The Strange Art Of Pop nga Fred Vermorel. Pasi arrij në studion time, vështroj kopshtin. Kaloj shumë kohë duke vështruar çdo bimë, duke u folur... Më pas hyj brenda dhe filloj punën. Ndonjëherë punoj vetëm, herë të tjera me bashkëpunëtorë.

Për listën e saj të muzikës gjatë punës… Dëgjoj shumë muzikë, me zë shumë të lartë kur jam vetëm. Dëgjoj shumë nga reperi belg Shay, Charli XCX, Oumou Sangaré, dhe më pëlqen shumë banda e muzikës metal transcendental nga Nju Jorku, Liturgy. Gjithashtu, dëgjoj radion NTS.

Për frymëzimin e saj nga shfaqjet televizive… Më pëlqen shumë The Real Housewives Of Beverly Hills. Një herë bëra një spektakël të tërë për mënyrën se si të ‘kuptoni’ shfaqjet e këtij lloji.

Për veshjen e saj formale… Më frymëzojnë pa masë ngjyrat e koleksioneve të vjetra të Dries van Noten. Gjithashtu, vitin e kaluar u rrëmbeva nga koleksioni Golden Shower 1998 i Alexander McQueen.

Për frymëzimet e fëmijërisë… Jam rritur në malet e Les Cévennes në jug të Francës dhe për këtë arsye mbase punoj shpesh me materiale dhe njerëz nga ai vend. Kur isha fëmijë, kam kaluar dy ditë me fëmijët e tjerë në një shpellë të madhe – fjetëm dhe gatuam aty. Brenda shpellës ishte një liqen i nëndheshëm i bukur e shumë i çuditshëm dhe drita e temperatura bënin që ta humbisje sensin e ciklit të jetës jashtë. Mbaj mend tronditjen nga drita e aroma kur më në fund u larguam.

Për artistët… Mike Kelley do të jetë gjithmonë frymëzimi im. Por më pëlqejnë edhe Ana Mendieta, [Jean Siméon] Chardin, Carolee Schneemann. Dhe shumë kohë më parë, mamaja ime thuri një rrugicë prej leshi me motivin e një mjellme të gjakosur. Është njëkohësisht shumë delikate dhe vërtet misterioze.

Për gjërat më të shtrenjta… Ka shumë objekte që janë të çmuara për mua. Por në vend që të pushtohem nga ideja e të pasurit gjithçka, përfundoj duke i bërë ato pjesë të artit tim. Është një formë pozitive e të humburit të gjërave. Ëndrra ime është të kem një hapësirë krejtësisht boshe – pa lidhje emocionale, liri e plotë.

Për ecjen… Ecja është një ndër gjërat më të rëndësishme për mua për sa i përket gjetjes së frymëzimit. Është si të kalosh në ekstazë; ti shkrihesh në mjedisin përreth, rrugët... Ideja e shkrirjes është shumë e rëndësishme në punën time. Aktualisht po punoj në një spektakël, i cili hapet në shtator në Heidi Gallery në Berlin – që ka për qëllim shprehjen e ndjenjës së vëzhgimit brenda një lloj estetike “bëje vetë”, diçka midis elektricitetit dhe privatësisë.

Për këshillën më të mirë të karrierës… Kjo mund të përmblidhet me këngën Don’t Believe The Hype nga Public Enemy dhe citati i famshëm nga Bruce Lee: “Be water, my friend.”
Funmi Fetto është kryeredaktore globale e Service95 dhe një redaktore kontribuese e “British Vogue”