Mënyra se si punoj... Laila Gohar
Në serinë tonë, ku eksplorojmë gjërat, vendet dhe njerëzit që frymëzojnë jetën e punës së krijuesve, gazetarja Marie-Claire Chappet foli me artisten dhe shefen e kuzhinës për gjithçka, nga hapësira e saj e punës deri te procesi krijues
Ajo u quajt në mënyrë të famshme, nga askush tjetër përveç Drake, si “Björk e ushqimit”. Kuzhinierja egjiptiane që jeton në Nju Jork, e cila është gjithashtu artiste dhe shkrimtare për Financial Times, është padyshim një forcë krijuese shpërthyese, një autore magnetike që e shndërron ushqimin në një formë arti. Ajo është gjithashtu bashkëthemeluese dhe krijuese (së bashku me motrën e saj Nadia) e Gohar World: një linjë pajisjesh shtëpiake surrealiste, një përshtatje fantastike me ushqimet e saj të shijshme. Në këtë artikull, ajo flet me Service95 për tavolinën e rrëmujshme të punës, fundjavat e saj plotësisht të lira dhe tendencën për të hyrë në telashe…

Për kushtet e saj të punës... Punoj në studion time, e cila është 10 minuta më këmbë nga apartamenti im në qendër të Nju Jorkut. Tavolina ime është jashtëzakonisht kaotike. Ajo është një hapësirë shumëfunksionale, por të gjitha copëzat e ndryshme që gjenden aty pasqyrojnë gjërat emocionuese që ndodhin në studion dhe në jetën time.

Për veshjen e saj formale... Unë shpesh vesh Simone Rocha, e cila është një mikesha ime e dashur. Më pëlqejnë siluetat e saj të ekzagjeruara. Preferoj të vesh rroba komode me të cilat mund të lëviz lirshëm. Për mua është e rëndësishme të ndihem rehat gjatë ditës dhe natës, si në punë ashtu edhe në shtëpi. Parfumi që përdor është Eau Triple Sumi Hinoki nga Officine Universelle Buly, një nga farmacitë e vjetra franceze. Është shumë delikat. E urrej kur përqafon dikë dhe parfumi i tij të ndjek.
Për procesin e saj të punës... E filloj punën rreth orës 10:00 dhe mbaroj rreth orës 19:00. Çdo ditë drekën e konsumojmë në studion time. Gjërat i organizoj gjithmonë rreth drekës; ky është rregulli im i artë. Mjedisi ku punoj është miqësor dhe familjar; njerëzit bashkëbisedojnë shumë dhe janë të këndshëm. E festuam ditën e Shën Valentinit thjesht, por bukur. Na pëlqen të ruajmë frymën e festës! Unë kam një rregull të fortë, ‘ndalohet puna gjatë fundjavës’.

Për udhëtimet... Më pëlqen të udhëtoj për qëllime pune, veçanërisht në Paris dhe Milano. Më pëlqen ta shikoj tokën nga lart gjatë uljes së avionit; e gjitha e ndarë në copa blu dhe jeshile, si një jorgan me tegela kuadrate. Ishte shumë bukur që pata mundësinë të udhëtoja përsëri dhe të takoja miqtë e mi vitin e shkuar. Vjeshtën e kaluar shkova në Paris për të organizuar edicionin Contemporary Curated në Sotheby’s. Për këtë rast përgatita edhe një tortë në formë karrigeje në madhësi reale. Ishte gazmore.

Për frymëzimin krijues... Më pëlqen të kridhem në natyrë, qoftë në pyll ose e rrethuar nga shumë pemë e lule dhe të dal për shëtitje. I dua shumë tregjet e fermerëve. Edhe unë frymëzohem nga krijuesit. E adhuroj Louise Bourgeois, veçanërisht punimet e pëlhurave dhe modelet e saj. Artistja ishte gjithashtu koleksioniste e objekteve të bukura dhe, si unë, e donte dantellën: femra ime ideale. Në Instagram, ndjek @npr, @gohar.world, @casabosques dhe të gjithë miqtë e mi për ide dhe frymëzime. Ju jeni çfarë konsumoni. Jeta është shumë e shkurtër për të ndjekur ata që nuk të bëjnë të ndihesh mirë.

Për veprën e saj të preferuar të artit... Një pikturë e vogël nga mikesha ime Cassi Namoda. Ajo është jashtëzakonisht e talentuar. Më pëlqen sepse ka vlera sentimentale dhe është vërtet e arrirë. Është bukur kur shikon përreth shtëpisë dhe sheh gjëra që të kujtojnë njerëzit që do.

Për këshillën më të mirë të karrierës... Përvish mëngët dhe vazhdo punën. Nuk ka rrugë të lehtë. Pastaj, shoqërohu me njerëz të mrekullueshëm. Jam me fat që mund të punoj me një ekip jashtëzakonisht besnik, punëtor dhe argëtues. Suksesi ka të bëjë me bashkëpunimin; ai nuk arrihet nëse punoni vetëm. Nëse nuk do të kisha gjetur një mënyrë për t’u shprehur dhe ndjekur këtë karrierë, mendoj se do të isha në shumë telashe. Isha vërtet një fëmijë e pacipë...
Marie-Claire Chappet është gazetare e arteve dhe kulturës që jeton në Londër dhe redaktore kontribuese në “Harper’s Bazaar”