Koalicioni që po ndihmon botën e artit për të adresuar ndryshimet klimatike
Bota e artit përbëhet nga një rrjet artistësh ndërveprues, galeristësh dhe kritikësh që marrin pjesë në panairet, ekspozitat bienale dhe muzetë e arteve në mbarën botën. Por, gjatë pandemisë, udhëtimet u reduktuan; ata që jetonin në periferi mund të bashkëbisedonin në internet dhe panairet e artit u zhvilluan në mënyrë virtuale. Kjo ndalesë vuri në pikëpyetje udhëtimin e shpejtë nga një qytet në tjetrin dhe ndikimin e tij në mjedis. Këtu del në skenë “Gallery Climate Coalition” (GCC). E themeluar në vitin 2020 me qendra në Londër dhe Berlin, galeritë, muzetë dhe botuesit anëtarë të saj po bashkohen për të ndryshuar mënyrën se si bota e artit mendon për ndryshimet klimatike. Qëllimi i tyre është të nxisë organizatat që të reduktojnë në masën 50% emetimet e dyoksidit të karbonit deri në vitin 2030. Krahas GCC-së, janë edhe disa institucione të tjera që zotohen për të ndryshuar situatën:
- Serpentine Gallery në Londër lançoi General Ecology – një projekt në vazhdim e sipër me në fokus botimet, grupet e leximit dhe përfshirjen e një sërë artistësh dhe shkrimtarësh.
- La Biennale di Venezia e këtij viti, The Milk Of Dreams, po i jep mjedisit një vend të rëndësishëm, duke u bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të reduktojnë dhe eliminojnë emetimet e dyoksidit të karbonit.
- The Climate Museum në Nju Jork është institucioni i parë i përkushtuar ndaj ndryshimit të perceptimit publik lidhur me ndryshimet klimatike që ndërmerr iniciativa, përshirë projekte arti për ndërgjegjësimin e karburanteve fosile, përmes bisedave dhe ngjarjeve publike.
- Vitin e kaluar, galeria Hauser & Wirth emëroi drejtoreshën e saj të parë globale të qëndrueshmërisë mjedisore e ngarkuar me paraqitjen e “kuotave të emetimit të dyoksidit të karbonit’ për çdo ekspozitë, për reduktimin e emetimeve dhe mbështetjen e iniciativave për eliminimin e dyoksidit të karbonit. Galeria mbështet edhe Art For Acres, një iniciativë jofitimprurëse për ruajtjen e tokës, e themeluar nga artistja Haley Mellin.