Iranian Diaspora Collective: Organizata që u bën jehonë historive të iranianëve
“Bëhuni zëri ynë”. Këto tri fjalë përfaqësojnë një lutje të fuqishme nga iranianët, të cilët shpresojnë se njerëzit në mbarë botën do të dëshmojnë për luftën e tyre për liri dhe, më e rëndësishmja, do të përdorin zërin e tyre për të forcuar thirrjet e tyre për llogaridhënie dhe drejtësi.
Vdekja tragjike e Mahsa Zhina Amini, një vajzë kurde 22-vjeçare, ndërsa ishte e arrestuar nga policia e moralit, ka nxitur një nga lëvizjet më të mëdha të të drejtave civile në historinë e vendit këto kohët e fundit, të kryesuara nga gratë iraniane. Është java e 20-të që protestat po zhvillohen në të gjithë Iranin dhe në këtë pikë kjo lëvizje nuk është më një seri demonstratash, por një revolucion i vërtetë. Ndërsa iranianët kanë filluar dhe vazhdojnë të rrezikojnë e humbasin jetën e tyre për liri, një grup i vogël iranianësh të gjeneratës së parë dhe të dytë në diasporë janë mbledhur për të hartuar strategji për t’i mbështetur ata dhe për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën. Kështu ata menduan se si mund të tregonin dhe t’u bënin jehonë historive dhe përvojave të të dashurve të tyre në Iran pa rrezikuar sigurinë e tyre. Ky grup i vogël u rrit ngadalë dhe iu bashkua Iranian Diaspora Collective (IDC), një organizatë e pavarur shumëfetare me anëtarë nga të gjitha prejardhjet, gjinitë, orientimet seksuale, identitetet dhe industritë e ndryshme.
Shumica e anëtarëve janë anonimë për të shmangur hakmarrjen e mundshme ndaj të dashurve të tyre në Iran. Megjithatë, puna e IDC-së po bëhet gjithnjë e më dukshme: krahas bashkëpunimit të ngushtë me shtypin që populli i Iranit të mbetet në qendër të vëmendjes, përmes një fushate GoFundMe, kolektivi mblodhi fonde për vendosjen e tabelave të mëdha reklamuese në Los Anxhelos, në qytetin e Nju Jorkut dhe Uashington D.C., me stenda afishimi, postera të zjarrtë dhe reklama dixhitale që u panë nga më shumë se 20 milionë njerëz.
Këto njoftime kanë një qëllim të dyfishtë: të pasqyrojnë sa më qartë gjendjen në Iran dhe të ngrenë moralin iranian. Për krijimin e reklamave, IDC-ja bashkëpunoi me artistë anonimë në Iran dhe i afishoi në dy gjuhë, duke qenë në dijeni se audienca e tyre nuk ishte vetëm në SHBA, por edhe në Iran.
Masat e mëtejshme të kolektivit, i cili nuk është i lidhur me asnjë grup tjetër politik ose lobues, nuk janë zbuluar ende, por ndoshta gjithçka që duhet të dimë është qëllimi i përbashkët i unitetit të diasporës “për të mbështetur të drejtën e popullit iranian” për një Iran të lirë dhe të drejtë.
Për informacionet më të fundit nga IDC-ja, vizitoni faqen në Instagram
Roya Shariat është shkrimtare dhe udhëheqëse me ndikim social që jeton në Bruklin, dhe gjithashtu autore e një buletini mbi kulturën dhe gastronominë të quajtur Consumed