Diamantet e krijuara në laborator: Një shpjegim nga Milena Lazazzera
Ndërsa industria e diamanteve është në kërkim të mënyrave më etike dhe të qëndrueshme, Milena Lazazzera shpjegon alternativat e krijuara nga njeriu
Menjëherë sapo filloni të lundroni në faqet e internetit për të blerë diamante, viheni përballë dy opsioneve: diamante të krijuara në laborator apo në mënyrë natyrale. Po ku qëndron ndryshimi?
Me sy të lirë, ndryshimi është vetëm tek etiketa e çmimit, pasi gurët artificialë kushtojnë zakonisht 30% më lirë sesa ata natyralë. Në të kundërt, diamantet e krijuara në laborator janë në mënyrë kimike (prej karboni) dhe strukturore (prej kristali në formë kubi) identike me ato të nxjerra nga minierat. Por dallimi më i madh është origjina e tyre. Diamantet natyrale janë pjekur në kazanin e nënës natyrë miliarda vjet më parë, ndërsa ato artificiale nxirren brenda disa javësh nga makineri të fuqishme.
Por si prodhohen ato? Shumica e diamanteve të krijuara në laborator prodhohen në dy mënyra: presion i lartë, temperaturë e lartë (PLTL) ose me depozitim të avullit të karbonit (DAK) – të dyja jo shumë të ndryshme nga vendosja e një kokrre misri në një tigan të nxehtë, duke e nxehur dhe e pjekur atë. Diamantet PLTL formohen nga një kristal i vetëm prej karboni i vendosur në një lloj furre gjigante në formën e një presioni ekstrem, rreth 50,000 herë më shumë se ai i atmosferës në sipërfaqen e tokës, dhe në nxehtësi rreth 1,400ºC që, pas Big Bengut, bëri që atomet e karbonit të kristalizohen në diamante. Me DAK, fara të vogla të diamanteve natyrale zgjerohen përmes shtresave të një përzierje të gaztë karbon-hidrogjeni të depozituar mbi to brenda një dhome të nxehur në rreth 800ºC.
Diamantet artificiale patën një popullaritet në rritje që kur “Diamantet e Gjakut” i Leonardo DiCaprios (2006) tregoi se si diamantet e nxjerra në miniera pasuronin kryekomandantët e luftërave në vendet afrikane të zhytura në konflikte. Megjithëse Procesi Kimberley shërben si regullator i tregtisë për të frenuar 99% të prodhimit global të diamanteve të konfliktit, shqetësime të reja janë ngritur që kur Rusia, e cila nxjerr nga nëntoka afërsisht një të tretën e diamanteve natyrale, nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës.
Megjithatë, minatorët janë të mendimit se diamantet natyrale ofrojnë burime për të investuar në projektet e ruajtjes dhe komunitetet lokale, duke ulur shkallën e varfërisë – siç ndodhi në Botsvanë.
E kështu, për konsumatorët, diamantet e krijuara në laborator janë më të përballueshme dhe më tërheqëse për shkak të tipareve të tyre jo të dëmshme ndaj mjedisit, si edhe atyre etike, e megjithatë këto pretendime duhen verifikuar në mënyrë të hollësishme.
Ky qëndrim miqësor ndaj mjedisit është i vlefshëm vetëm kur laboratorët përdorin burime të rinovueshme për të prodhuar sasi të jashtëzakonshme energjie e cila nevojitet për të krijuar gurët e çmuar – përndryshe, i gjithë procesi i prodhimit të diamanteve mund të rezultojë më i dëmshëm për mjedisin, sesa ai i nxjerrjes së diamanteve natyrale.
Ndërsa, për sa i përket etikës, duhet të hetoni të gjithë linjën e prodhimit të diamanteve në laboratorë, sepse abuzimet me praktikat e punësimit mund të ndodhin në rastet kur diamantet priten dhe lëmohen, zakonisht në vende të ndryshme nga ku janë prodhuar.
Nëse mendoni se diamantet e krijuara në laborator janë zgjedhja e duhur, atëherë këtu keni pesë brende të cilat jua kanë bërë më të lehtë zgjedhjen:
1. Vrai: Duke qenë se diamantet prodhohen nga kompania e saj mëmë, Diamond Foundry, që përdorur energji hidrike, Vrai garanton transparencë të plotë në të gjithë zinxhirin e saj të prodhimit dhe shitjes.
2. Nomis: Kjo kompani e palodhur ukrainase vazhdon të prodhojë dhe të ofrojë dizajne të guximshme dhe plot simbolikë, si dhe transparencë të plotë.
3. Kimaï: Me seli në Antwerp, qendra evropiane e diamanteve, standardet mjedisore të Kimaï kanë bërë që ajo të gëzojë miratimin e Dukeshës së Sussex.
4. Vever: Ish-marka e talentuar e artit Nouveau u rishfaq vitin e kaluar dhe u vlerësua nga qeveria franceze si kompani me një mision të veçantë etik dhe mjedisor.
5. Innocent Stone: Themeluar nga një ish-tregtar i diamanteve natyrale, Innocent Stone ofron një gamë të gjerë diamantesh të krijuara në laborator, si në formë të veçuar, ashtu edhe të vendosur në bizhuteri.
Milena Lazazzera është autore shkrimesh rreth bizhuterive dhe modës, për “Financial Times”, “The New York Times”, “The Business Of Fashion”, “Vogue Business”, “Tatler” dhe të tjera