Çrregullimet e shëndetit riprodhues të femrës: Pse kemi nevojë për më shumë kërkime mjekësore
Në fillim të vitit 2020, ndërsa Covid-19 u përhap në mbarë planetin dhe njerëzimi përgatitej të përballej me të panjohurën, disa mjekë në Itali filluan të vërenin një fenomen alarmues. Një numër i madh vajzash, të gjitha nën moshën tetë vjeç, patën zhvillim të gjoksit ose menstruacione – çrregullime të veçanta mjekësore të njohura si pubertet dhe menarkë e parakohshme. Tani, gati tre vjet pas pandemisë, hulumtimi i ri po eksploron ndikime të ndryshme misterioze në ciklet riprodhuese të femrave, transgjinoreve dhe jogjinoreve në mbarë botën, nga rastet e vajzave që përjetojnë menstruacionet e para vite përpara se të mbarojnë shkollën fillore, deri te parregullsitë e ndryshme në shpeshtësinë e ciklit menstrual. Për shkak se disa nga efektet e vaksinës nuk u identifikuan që në fillim nga komuniteti mjekësor, njerëzit që janë kundër përdorin shembuj të ndikimeve nga vaksinat kundër Covid-19 për të thënë se ato janë të rrezikshme ose shkaktojnë infertilitet, por këto pretendime nuk mbështeten nga kërkime të besueshme. Në fakt, shkencëtarët që eksplorojnë ndikimet e Covid-19 në shëndetin e riprodhimit theksojnë se studimet e reja në këtë fushë nuk e vënë në dyshim efektin e vaksinave kundër Covid-19 dhe as nuk janë kundër marrjes së tyre.
Në ditët e para të pandemisë, qyteti verior i Bergamos e shndërroi Italinë në epiqendrën e dytë të Covid-19 pas Kinës. Mjekët, të demoralizuar dhe të rraskapitur, luftuan për të shpëtuar pacientët e Covid-19 ndërsa reanimacionet e spitaleve u mbushën përtej kapaciteteve. Për të përballuar situatën, Italia ishte vendi i parë që zbatoi një izolim mbarëkombëtar. Menjëherë pas kësaj, studiuesit në Spitalin e fëmijëve “Meyer” në Firence, një nga më të vjetrit në vend, filluan të ndiqnin rastet e vajzave që referoheshin për pubertet të parakohshëm ose të hershëm. Në dekadat e fundit, mbizotërimi i kësaj patologjie është rritur, veçanërisht në vendet e industrializuara për shkak të një morie faktorësh kompleksë dhe të keqkuptuar. Por shkalla e raportimit ishte mjaft e lartë për të tërhequr vëmendjen e tyre.
Pas kryerjes së një studimi retrospektiv që krahasonte normat e diagnostikimit në pesë vitet para pandemisë, studiuesit publikuan një studim shkencor në Revistën italiane të pediatrisë në nëntor të 2020. Studimi konfirmoi një rritje të incidencës së rasteve të pubertetit të parakohshëm te vajzat gjatë dhe pas izolimit të vitit 2020 në Itali. Midis marsit dhe korrikut 2020, 49 vajza të reja përjetuan fillimin e pubertetit të parakohshëm ose përshpejtimin e problemit, që do të thotë se për ato që tashmë përjetojnë simptomat e lidhura me fillimin e hershëm të pubertetit, ato simptoma u zhvilluan më shpejt se sa pritej, krahasuar me numrin total të 89 vajzave së bashku në pesë vitet e mëparshme. Legjitimiteti i këtij studimi u rikonfirmua në Itali në shkurt 2022 në bazë të hulumtimeve shtesë të botuara në Endocrine Connections. Për më tepër ky trend është vënë re në të gjithë botën. Studime të ngjashme u kryen gjithashtu në Kinë, Turqi dhe Indi, siç u raportua nga The Washington Post dhe The Fuller Project pranverën e kaluar.
Një studim identifikoi lidhjen e dukshme midis pandemisë dhe ritmeve të shpejta të fillimit të hershëm të pubertetit si një “urgjencë e mundshme”. Por është e vështirë të gjendet shkaku i vetëm ose parësor për këtë fenomen, duke patur parasysh se fillimi i pubertetit ndikohet nga një kombinim i faktorëve gjenetikë, psikologjikë, mjedisorë dhe metabolikë. Pandemia e ndërlikon më tej situatën. Studiuesit spekulojnë se shkaqet e mundshme mund të përfshijnë stresin, mungesën e aktivitetit fizik, dietën, përdorimin e dezinfektuesve të duarve dhe shtimin e ekspozimit ndaj pajisjeve elektronike. Në fund të fundit, çdo studim thekson nevojën për kërkime shtesë që përfshijnë popullata më të mëdha. Sipas Dr. Katie Larson Ode, një endokrinologe pediatrike dhe profesoreshë e asociuar klinike e pediatrisë pranë Stead Family Children’s Hospital të Universitetit të Iowa-s, komuniteti mjekësor duhet të përcaktojë “nëse këto rritje po ndodhin atje dhe, nëse po, cilat mund të jenë shkaqet”.
Me përhapjen e pandemisë në vitin 2021 e më tej, u bë e qartë se vajzat nuk ishin të vetmet që ndienin efektet e lidhura me pandeminë në shëndetin e tyre riprodhues. Në vazhdën e zbatimit të planit të vaksinimit kundër Covid-19 filluan thashethemet që vaksinimi ndërpriste ciklin menstrual, fillimisht në tweets dhe më pas mes miqsh kur filluan të takohen lirisht pasi kufizimet e distancimit social u lehtësuan. Këto raporte të hershme morën vëmendjen e Meghna Roy, një antropologe mjekësore pranë Universitetit Jawaharlal Nehru në Nju Delhi, Indi. Gjatë gjithë vitit 2022, Roy intervistoi një grup të vogël vajzash, kryesisht në të 20-at dhe 30-at e tyre, të cilat ishin të gatshme të flisnin lidhur me përvojat e tyre për atë që ato dyshonin për efektin e vaksinës kundër Covid-19 te cikli i tyre menstrual. Gratë që u vaksinuan (përfshirë Covaxin, Pfizer, Covishield dhe Sputnik) në Indi, Kuvajt, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar përjetuan një sërë simptomash: “Disa gra raportojnë periudha më të gjata midis ciklit menstrual, të tjerat më të shkurtra me pak ose aspak gjakderdhje, ndërsa disa të tjera raportojnë dhimbje të shtuara periodike dhe gjakderdhje të rëndë”, thotë Roy.
Së fundi, efektet anësore të vaksinës kundër Covid-19 në ciklin menstrual janë raportuar automatikisht te komuniteti mjekësor dhe autoritetet rregullatore shkencore. Deri më 23 nëntor 2022, më shumë se 51,000 gra raportuan dyshime rreth ndërprerjes së ciklit menstrual të lidhur me Covid-in, përmes Skemës së Raportimit të Kartës së Verdhë të Koronavirusit të Agjencisë Rregullatore të Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA) në MB. Faqja e internetit ka për qëllim të gjurmojë efektet e autoraportuara anësore nga vaksina kundër Covid-19, e cila më pas rishikohet nga MHRA-ja për përdorim të sigurt dhe të efektshëm të saj. Në faqen e saj të internetit, MHRA-ja konstaton se aktualisht po shqyrton efektet anësore të dyshuara të çrregullimeve menstruale dhe gjakderdhjes së papritur vaginale pas vaksinimit kundër Covid-19 në MB. Që nga dhjetori 2022, përgjigja e MHRA-së është ende kjo: “Bazuar në vlerësimin rigoroz të kryer deri më sot, nuk ka asnjë lidhje midis vaksinës kundër COVID-19 dhe ndryshimeve të tjera në ciklin menstrual”. Megjithatë, metoda e vlerësimit nuk u zbulua dhe pozicioni me sa duket bie ndesh me qasjen e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë (NIH) në Shtetet e Bashkuara, i cili njoftoi financimin e një studimi njëvjeçar për shqyrtimin e kësaj lidhjeje të mundshme. Në fund të shtatorit 2022, rezultatet e studimit ndërkombëtar të NIH-së, që përfshijnë të dhënat nga afro 20,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanada, konfirmuan një rritje të përkohshme të kohëzgjatjes së ciklit menstrual. Për më tepër, sipas hulumtimit të kryer në nëntor 2022 nga Departamenti i Metabolizmit, Tretjes dhe Riprodhimit pranë Kolegjit “Imperial” Londër, duke përdorur të dhëna nga aplikacionet e gjurmimit të ciklit menstrual, u konfirmua gjithashtu një ndikim kalimtar në ciklin menstrual të grave pas vaksinës. Disa studiues i kanë përshkruar gjetjet në përgjithësi si të sigurta pasi ndërprerjet janë kryesisht të shkurtra dhe largohen me kalimin e kohës dhe hulumtimi tregon përfundimisht se ata që janë vaksinuar kanë shumë më pak gjasa të shtrohen në spital për sëmundje të rënda dhe/ose të vdesin nga Covid-19.
Gjithsesi, këto studime nga MHRA, NIH dhe Kolegji “Imperial” Londër ishin retrospektive. Në vend që shëndeti riprodhues të monitorohej dhe ndiqej si pjesë e zhvillimit të vaksinës, kjo çështje u hulumtua nga komuniteti mjekësor dhe shkencor pas dhënies së vaksinave. Ky është një fakt i çuditshëm për disa mbrojtës të shëndetit riprodhues, duke pasur parasysh se mbi 50% e popullsisë globale përjeton menstruacione dhe studimet e ardhshme që mund të mbledhin më shumë të dhëna në kohë reale mund të jenë më të dobishme. Fatkeqësisht, shumica e testeve të vaksinës kundër Covid-19 ka përjashtuar çdo pyetje në lidhje me menstruacionet, kështu që nuk u dha mundësia për të mësuar se si këto vaksina mund të ndikojnë në menstruacione. Kjo ka krijuar mundësi për grupet kundër vaksinave që me opinionet e tyre të imponojnë teori çorientuese të pambështetura nga shkenca.
Ideja e përfshirjes së menstruacioneve në kërkimet mjekësore nuk është e re. Që në vitin 2006, shoqatat profesionale mjekësore si Kolegji amerikan i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë propozuan përfshirjen e menstruacioneve si shenjë të pestë jetike, krahas pulsit, ritmit të frymëmarrjes, tensionit dhe temperaturës së trupit, pasi cikli menstrual shihet gjithnjë e më shumë si një tregues kyç i shëndetit. Nëse cikli menstrual do të konsiderohej një shenjë jetike, atëherë ndikimet e mundshme në cikël do të merreshin në konsideratë gjatë kërkimeve mjekësore, duke përfshirë zhvillimin e vaksinës.
Një pengesë e vazhdueshme në këtë çështje që po konsiderohet me seriozitet pas vaksinimit është se raportet priren të bazohen në përvoja individuale, sesa në ato sasiore, biomjekësore. Shkencëtarët dhe mjekët, veçanërisht në mjekësinë perëndimore dhe të grupit verior, preferojnë këtë të fundit. Aspekti i autoraportimit përfaqëson një dilemë, të cilën Roy kërkon ta adresojë në kërkimin e saj në Indi. “Tani për tani, kur disa mjekë që nuk janë në dijeni të këtij problemi dhe disa shkencëtarë thonë se është thjesht stresi që ndikon në ciklin menstrual të këtyre individëve, atëherë çfarë kuptimi kanë provat? – thotë ajo. “Si mund të mos jetë provë, kur e kam kaluar vetë dhe e kam raportuar?”, pyet ajo.
Për sa u përket ekspertëve të mjekësisë që kanë folur zyrtarisht për të adresuar lidhjet e autoraportuara midis vaksinave kundër Covid-19 dhe çrregullimeve menstruale, përgjigjet kanë qenë problematike. Zakonisht, ata theksojnë natyrën kalimtare të çrregullimeve menstruale, duke specifikuar se kjo nuk do të ndikojë në fertilitet. Reduktimi i të raportuarve në një monolit të interesuar vetëm për çrregullimet e ciklit menstrual për shkak të shqetësimeve të fertilitetit dhe çdo gjë tjetër që mund të pengojë ngjizjen, e errëson faktin se vaksinat kundër Covid-19 mund të kenë ndikime hormonale. Është e arsyeshme pse ekspertët e mjekësisë mund të dëshirojnë të minimizojnë çrregullimet menstruale pas vaksinës për të zbutur shqetësimet e hezitimit ndaj vaksinës kundër Covid-19 dhe për të nxitur marrjen e saj. Por një rezultat i injorimit të çështjes është se, përveç zhvlerësimit të përvojës së ndikimit të përkohshëm në ciklet menstruale, kjo mund të nxisë perceptimin se shëndeti i gjinive të caktuara mbetet dytësor ose më pak i rëndësishëm se ai i burrave.
Kjo nuk e befason Dr. Sarah Glynne, një mjeke e përgjithshme dhe anëtare e Shoqatës Britanike të Menopauzës në Londër. Dr. Glynne punon ngushtë me Dr. Louise Newson, gjithashtu një specialiste e menopauzës, për të monitoruar dhe trajtuar një ndikim të tretë të veçantë në shëndetin riprodhues gjatë pandemisë: lidhjen midis Covid dhe menopauzës. Dr. Glynne raporton “një paragjykim gjinor dhe injorancë të qëllimshme” midis ekspertëve mjekësore që kujdesen për pacientët me periudha të gjata të Covid. “Duket se ekziston një errësirë e thellë kur bëhet fjalë për marrjen në konsideratë të ndikimit të virusit në hormonet femërore dhe rolin e terapisë së zëvendësimit të hormoneve”. Një pjesë e punës së Dr. Glynne është të paralajmërojë njerëzit për këtë fakt.
“Burrat dhe gratë kanë afërsisht gjasa të njëjta që të sëmuren me Covid-19. Por meshkujt kanë më shumë gjasa të vuajnë nga sëmundje të rënda dhe akute, ndërsa femrat kanë më shumë gjasa të preken nga Covid për një kohë të gjatë”, thotë ajo. Një studim i vitit 2021 tregoi se mosha mesatare e të prekurve është 46 vjeç dhe më shumë se 80% e njerëzve të diagnostikuar me Covid për një kohë të gjatë janë femra. Sipas studimit, më shumë se një e treta e këtyre grave përjetojnë shqetësime të ciklit menstrual.
Simptomat e Covid për një kohë të gjatë, të cilat përfshijnë lodhje, konfuzion, dhimbje gjoksi, muskujsh dhe kyçesh që vazhdojnë për më shumë se tre muaj pas prekjes nga Covid-19 përkojnë me simptomat e menopauzës dhe hulumtimet tregojnë se vaksinat kundër Covid-19 me të vërtetë mund të minimizojnë mundësinë që njeriu të preket nga Covid me periudha të gjata.
Hulumtimi në këtë fushë është ende në fillimet e veta, por sipas Dr. Glynne dhe Dr. Newson, Covid-19 ndikon negativisht në funksionin e vezoreve, duke shkaktuar mangësi hormonale dhe simptoma të menopauzës te shumë gra me Covid me periudha të gjata. “Hulumtimi duhet të bëhet urgjentisht”, thotë Dr. Glynne. “Gratë e prekura nga Covid me periudha të gjata duhet të pyeten në lidhje me ciklin e tyre menstrual dhe të kaluarën e tyre, por kjo nuk ndodh gjithmonë”. Kjo, shpjegon Dr. Glynne, mund të shkaktojë vuajtje të zgjatura që shkojnë përtej individit. “Deri në qershor 2022, 2 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar ishin diagnostikuar me Covid për një kohë të gjatë. Meqenëse gratë nga mosha 40 deri në 60 vjeç janë grupi që ka më shumë gjasa për t’u prekur nga Covid për një periudhë të gjatë, kjo e pengon shumë aftësinë e tyre për të punuar dhe për t’u kujdesur për fëmijët dhe familjet e tyre, gjë që sjell pasoja negative jo vetëm për familjet, por edhe për shoqërinë dhe ekonominë”, shton Dr. Glynne.
Në tre vitet e para të pandemisë së Covid-19, tek e fundit, mbulimi mediatik ishte shterues. Pse, atëherë, ndikimi në dukje unik që ka pasur Covid-19 te femrat, jogjinoret dhe transgjinoret në çdo fazë të shëndetit të tyre riprodhues është, në rastin më të mirë një shënim i cituar dhe në atë më të keq një konsideratë dytësore? Ndoshta stigma e lidhur me këto ndryshime të natyrshme trupore mund të pengojë angazhimin social në këtë temë, por ndoshta ka edhe probleme të tjera strukturore që ndikojnë. Është e qartë se financimi shtesë për hulumtime të mëtejshme dhe vëmendja në këto fusha janë të nevojshme. Si dhe një reflektim i guximshëm dhe introspektiv nga komuniteti shkencor mbi atë që mund të konsiderohet si provë mjekësore, në mënyrë që shqetësimet e disa gjinive të mos anashkalohen. Vlerësimi i ciklit menstrual dhe pubertetit është i vështirë, duke pasur parasysh ndryshimet e mëdha në popullatë, por nuk është i pamundur. Hulumtimi proaktiv i rolit midis hormoneve seksuale, Covid-19 dhe viruseve të tjera jo vetëm që meriton vëmendjen e të gjithëve ne, por është absolutisht i nevojshëm.
Jamie Brooks Robertson është shkrimtare dhe studiuese e pavarur, që jeton në Londër; ajo është edhe eseiste e shquar që fokusohet në shëndetin dhe kulturën
*Ju lutemi, vini re se informacioni në këtë artikull nuk mund të trajtohet si zëvendësues për diagnozën, udhëzimet ose këshillat mjekësore. Nëse shëndeti juaj riprodhues është prekur gjatë pandemisë së Covid-19 ose në një kohë tjetër, ju lutemi kërkoni këshilla nga një ekspert i besuar i kujdesit shëndetësor.