“Çfarë ndodh kur aktivizmi në internet, anonimiteti, kultura e influencuesve dhe vetëkomercializimi përplasen?”
Yomi Adegoke është gazetare dhe shkrimtare britanike e vlerësuar me çmime. Në këtë artikull ajo flet se si romani i saj debutues The List u frymëzua nga dëshira e saj për të trajtuar hipokrizinë dhe polarizimin e kulturës së rrjeteve sociale.
Interneti ishte padyshim shpikja më e rëndësishme e shekullit të 20-të dhe rrjetet sociale një nga më të domethënëset e shekullit të 21-të. Nëse ka patur aspekte pozitive ose negative të këtyre dy dukurive, kjo është debatuar që nga ekzistenca e tyre, pasi krahas demokratizimit të informacionit, jemi dëshmitarë edhe të një krize të vërtetë dezinformimi. Lulëzimi i rrjeteve sociale ka çuar në lëvizjet për drejtësi shoqërore që përkon me radikalizimin në shkallë të gjerë. Më tej, linjat midis drejtësisë sociale dhe asaj të xhunglës filluan të mjegullohen, duke tkurrur dallimet midis të dyjave, ndërsa ekranet vazhdojnë të krijojnë një distancë gjithnjë e më në rritje mes nesh.

Realiteti ynë që po ndryshon me shpejtësi, është ende i kufizuar në terma pothuajse distopike dhe na çon në buzë të greminës së një të ardhmeje të stilit Black Mirror. Për këtë arsye, desha të shkruaj një libër aktual për atë që ndodh kur aktivizmi online, anonimiteti, kultura e influencuesve dhe vetëkomercializimi përplasen, siç ndodh çdo ditë. Unë kam mbi 10 vjet që jam një shkrimtare feministe. Jam një avokate e paepur për të drejtat e grave, por jam gjithashtu edhe një gazetare e tmerruar nga shpejtësia me të cilën përhapen lajmet e rreme në epokën e internetit, si dhe nga pasojat e paverifikuara të atyre që thuhen në rrjetet sociale. Unë jam e angazhuar edhe politikisht pasi kërkoj ndryshime rrënjësore dhe jam gjithashtu e indinjuar nga shfrytëzimi i vazhdueshëm i lëvizjeve si armë për përfitime personale.
Kjo është arsyeja pse them se romani im debutues The List është në fakt, ndër të tjera, një libër rreth internetit. Ndoshta do të ishte më thjeshtë të thuhej se bëhet fjalë për një libër për #MeToo ose “kulturën e anulimit”, por edhe këto fenomene janë të rrënjosura në botën online siç e njohim ne. The List, para së gjithash, ka të bëjë me atë që themi se kush jemi kundrejt atyre që jemi në të vërtetë, qoftë publikisht ose privatisht, në internet ose jashtë tij. Është një libër për “Instagram kundër realitetit”, për atë që qeniet njerëzore janë të afta të bëjnë kur u jepet superfuqia e padukshmërisë. Na pëlqen të mendojmë se e përdorim vetëm për shaka ose përgjime të padëmshme, por thjesht hidhini një sy komenteve në një faqe interneti për të kuptuar se si sillet shumica e njerëzve kur nuk i vëzhgon dikush. Libri flet për hipokrizinë, përvetësimin, zonat gri dhe thikën me dy presa të jetës në internet. Dhe ashtu si bisedat mbi këto tema, The List është i ndërlikuar, duke mos ofruar përgjigje të qarta.
Shumë shpesh janë njerëzit e gabuar ata që zhvillojnë diskutimet më të vështira; ata që kërkojnë të delegjitimojnë përvojat e jetuara të grupeve të margjinalizuara dhe të zhbëjnë të drejtat e fituara me mund. Sipas mendimit tim, është jashtëzakonisht e rëndësishme që njerëzit përparimtarë të marrin në dorë frenat e bisedave të vështira nga ata që kërkojnë të mbjellin përçarje. Shpesh bëj shaka se jam përjetësisht e pavendosur dhe ngjyra ime e preferuar duhet të jetë gri, sepse nuk mund t’i shoh kurrë gjërat bardhezi. Ka qenë kënaqësi të shkruaj atë që besoj se është një roman i ndërthurur dhe i menduar në një epokë kur polarizimi inkurajohet në rrjetet sociale dhe favorizohet në mënyrë absolute, aty ku nevojitet një qasje më e shumanshme.
E shkrova The List si një mënyrë për të ndezur një bisedë rreth kulturës dhe llogaridhënies në internet, rreth asaj se si duhet të jetë dhe kush duhet të vendosë. Dhe këtë e bëra pa pritur kurrë pëlqimin e të gjithëve. Mosmarrëveshjet, pasiguria dhe shkëmbimet e ideve janë të gjitha pjesë e lojës, pasi arsyeja pse e shkrova është kryesisht për shkak të mungesës së dialogut në këtë fushë ose të paktën të zërave që do të doja të dëgjoja. Aspirata ime është që The List të mund të nxisë një dialog midis këtyre zërave. Megjithëse ai nuk do t’u përgjigjet pyetjeve të mëdha që shtrohen, shpresoj se mund të na sjellë një hap më afër.
The List do të publikohet më 20 korrik 2023