Biohacking: Çfarë është
Biohacking – e njohur gjithashtu si një formë e përmirësimit njerëzor – është në thelb biologjia “bëje vetë” që përfshin ndryshime të vogla në trupin dhe trurin tuaj për t’i bërë ato të funksionojnë më mirë. Ndër të parët që përqafuan këtë qasje ishin ata të komunitetit të Silicon Valley; me Jack Dorsey, ish-drejtor ekzekutiv i Twitter, i cili ishte personifikimi rastësor i kësaj metode. Në prill 2019, CNBC publikoi “biohacks më të mirë” të Dorsey, që përfshinin banja me ujë të ftohtë akull, stërvitje me intervale me intensitet të lartë shtatëminutëshe e deri te dieta me një vakt në ditë dhe agjërime të rregullta që ndonjëherë mund të zgjasin gjatë gjithë fundjavës. Të shumta ishin kritikat për atë që disa e cilësonin si një qasje të rrezikshme dhe ekstreme në biohacking. Por, a duhet të jenë kaq të komplikuara përpjekjet për të përmirësuar shëndetin tonë? Sipas Davinia Taylor, autore e artikujve për mirëqenien dhe themeluese e Will Powers (një komunitet i biohacking i bazuar në shkencë dhe i fokusuar te femrat) dhe kampione e kësaj praktike për një kohë të gjatë, përgjigja është jo.
“Biohacking mund të tingëllojë si një koncept i frikshëm, por ai thjesht nënkupton njohjen e biologjisë personale”, shpjegon Taylor. “Kur bëni biohacking, thjesht po kërkoni të krijoni zakone të cilat funksionojnë për kiminë dhe stilin tuaj të jetesës”.
Ja cilat janë pesë mënyrat e biohacking që Taylor sugjeron:
- Ndryshime të vogla si ekspozimi i syve ndaj dritës natyrale përpara përdorimit të telefonit mund të rrisë produktivitetin tonë në mëngjes. “Drita blu e gjeneruar nga dielli lejon që truri të aktivizohet dhe trupi të rregullojë siç duhet nivelet e kortizolit, duke na dhënë më shumë energji”.
- Filloni me ushtrime të vogla. “Të gjithë shkojmë në tualet disa herë në ditë. Provoni të rrini ulur edhe një minutë më shumë, mbyllni sytë, vendosni një dorë në zemër dhe më pas filloni të merrni frymë ngadalë për pesë sekonda e ta nxirrni për shtatë sekonda”. Ky ushtrim i vogël ju ndihmon të rifreskoni mendjen dhe trupin tuaj, dhe praktikimi i rregullt ndihmon në qetësimin e gjëndrave mbiveshkore dhe sistemit nervor, i cili nga ana tjetër mund të stabilizojë rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut.
- Lexoni In The Flo nga autorja shumë e suksesshme Alisa Vitti. Libri i saj ofron kërkime intensive në lidhjen midis biohacking dhe shëndetit të mirë menstrual, duke përshkruar se si gratë mund të punojnë në harmoni me ciklet e tyre mujore.
- Ritrajnimi i trurit nëpërmjet zakoneve është thelbësore për biohacking. Truri është një organ neuroplastik, kështu që mund të stërvitet me substanca të tilla si nootropikët – të njohur ndryshe si përforcues konjitivë – të cilët mund të përmirësojnë kujtesën dhe përqendrimin.
- Konsultimi me mjekun tuaj përpara se të bëni ndryshime drastike në shëndetin tuaj, është po aq i rëndësishëm sa dhe eksplorimi i strategjive të vërtetuara shkencërisht. Unë gjithmonë ju këshilloj që të lexoni kërkimet shkencore në faqet e internetit si Examine.com. Aty mund të gjeni më shumë informacione rreth metodave të tilla si ekspozimi ndaj dritës, ndaj të ftohtit dhe ndikimi i ushtrimeve të frymëmarrjes. Kjo mund t’ju ofrojë një qasje krejtësisht të re ndaj shëndetit.
Ata-Owaji Victor shkruan për stilin e jetës dhe bukurinë, artikujt e së cilës janë publikuar në “Refinery29”, “Elle UK” dhe “British Vogue”.