Beat: Revista e pavarur a muzikës që tërheq yjet më të mëdhenj
Për të gjithë ata të interesuar për muzikën e dekadës së kaluar, revista Beat ka qenë një ndër literaturat thelbësore. Revista qe ka tërhequr yje si Beyonce, Sky Ferreira dhe Lil Nas X, si dhe fotografë të shquar si Clare Shillard, Alasdair McLellan dhe Tyrone Lebon mund të përcjellë një ndjesi modeste, por ndikimi i saj është i përhapur anembanë botës.

Beat u themelua në vitin 2010 nga Hanna Hanra, gazetare dhe DJ, dhe së fundi hulumtoi katalogun e saj 13 vjeçar për të përpiluar librin e ri Punk Perfect Awful: Beat: The Little Magazine That Could... And Did. Ajo e nisi Beat si pasojë e frustrimit; e ndiente se mungonte hapësira e nevojshme për të shfaqur bandat muzikore ashtu siç i shihte ajo. Nxitja erdhi kur ajo punonte për revistën e modës i-D dhe sugjeroi që të bënin një artikull rreth grupit adoleshent të muzikës goth Ipso Facto. “Ata i stilizuan me veshje nga Givenchy. Mendova, ‘Por kjo nuk është kryesorja. Thelbi është që ata tashmë duken bukur’”, shprehet Hanra.
Kjo përvojë ofroi një model thjeshtësie që Hanra e bëri të vetën. “Beat filloi me të vërtetë si një gjë dhe ka mbetur ende si e tillë”, thotë ajo. “Kur e sheh të gjithën së bashku, duket me të vërtetë klasike. [Duke parë imazhet tani], ti nuk mendon, ‘Kjo duket si e 2007-ës’”.
Duke i qëndruar besnike fushës së saj, revista e Hanras, e themeluar në një bodrum në zonën Dalston të Londrës, për një kohë të gjatë e gjeti veten në vëmendjen e yjeve të mëdhenj të muzikës si Beyonce në vjeshtën e vitit 2015. “Ajo doli në Vogue [SHBA] e më pas u shfaq te ne, e cila është skaji tjetër i spektrit. Nuk mendoj se ajo ka bërë ndonjëherë diçka kaq bazike si një revistë fansash e bërë në kuzhinën e dikujt”, shprehet Hanra në lidhje me kopertinën e Beyonce për Beat.

Ndërsa për sa i përket punës me David Bowie, ai ishte momenti kur Hanra, admiruesja e tij, ia kishte dalë me të vërtetë. “U ndjeva sikur më kishte bekuar Zoti a diçka e ngjashme”, thotë ajo. “Kujtoj që menaxheri i tij më tha, ‘Po, i kam dërguar çdo botim të revistës’, ‘Çfarë?’, u përgjigja e befasuar”. Fatkeqësisht, puna e Bowie me Beat – një kolazh i imazheve të tij të preferuara – ishte dalja e tij e fundit në shtyp. Revista u publikua pasi ai u nda nga jeta në janar të vitit 2016.
Përveç emrave të mëdhenj, Beat ka mbështetur gjithmonë talentet e reja. Hanra përmend grupin muzikor Muna, të cilët sapo kanë nisr një tur me Taylor Swift, si dhe Gracie Abrams, albumi debutues Good Riddance i së cilës u klasifikua në vendin e tretë në MB në mars të këtij viti. Më pas listës i shtohet edhe themeluesja e Service95, Dua Lipa – e cila u bë pjesë e Beat më 2016. “E fotografuam pas një shfaqjeje shumë të hershme në Oslo, një sallë e vogël në Londrën lindore”, thotë Hanra. “Kujtoj që atëherë thashë me vete, ‘Kjo do të ketë sukses’”.
Me kalimin e kohës, që prej themelimit të Beat, skena muzikore është bërë më përfshirëse, duke mirëpritur një gamë më të larmishme artistësh në rrymën popullore. Revista e ka përqafuar këtë ndryshim. “Trembëdhjetë vite më parë ishte pothuajse e pamundur të gjeje shumë artistë me ngjyrë ose queer, ose që bënin diçka ndryshe, që spikasnin në media”, shprehet Hanra. “Tani, vetë muzika ndihet jashtëzakonisht përfshirëse”. Revista e ka reflektuar këtë ndryshim me një gamë të larmishme të yjeve në kopertinat e saj përgjatë viteve.
Në ditët e sotme, Hanra ka një ekip të vogël që punon në Mbretërinë e Bashkuar e SHBA dhe zhvillimi i saj i ka dhënë mundësinë që të thotë ‘jo’ kur mendon se duhet. Ajo thotë se ka pasur momente ‘të pabesueshme’ (shih më poshtë), por momentet më të bukura janë të paparashikueshme. “Ka pasur intervista që kam bërë me një person të ri dhe mendoj, ‘Uau, sa shumë kam mësuar’”, shprehet ajo. “Ndonjëherë të prek në një mënyrë që nuk e pret”.
5 momentet më të paharrueshme të Hanras në Beat
- Intervista me Nick Cave për botimin e parë (2010) – “Absolutisht nuk më kujtohet asgjë, çka është e pazakontë për shkak të mënyrës se si Nick Cave dhe Grinderman [grupi muzikor me të cilin ai punonte në atë kohë] duken. Por e di se e kam bërë sepse ajo ekziston”.
- Seanca fotografike e një grupi muzikor të ri vajzash të quajtur Little Mix (2012) – “Pyetjet nxirreshin nga një kuti ushqimi Lady Gaga dhe përfshinin pyetje si ‘Çfarë arome ka dashuria?’. Ato ishin komplet të çmendura, plot energji të pakontrollueshme”.
- Intervista me Debbie Harry dhe Chris Stein (2014) – “Rrallë magjepsem, por ka diçka të veçantë në të qenit në praninë e madhështisë e cila mund të jetë pushtuese. Më kujtohet çdo detaj: Veshja e Debbit, mënyra se si hyri në dhomë, dridhja e dorës sime mbi një fletë me pyetje të shkruara me dorë, se si qava më pas e çliruar ose e tronditur, ose e gëzuar, mbase të tria bashkë”.
- Kur pashë dikë të lexonte Beat në publik për herë të parë (2013) – “ÇFARË! EMOCIONI! I PAPARË!”.
- Beth Ditto organizon një pritje të Beat në restorantin Hoi Polloi në Londër (2015) – “Diçka rreth mënyrës se si ajo shtronte tavolinat, porosiste pulën dhe këndonte a kapella e bëri atë mbrëmje perfekte”.
Lauren Cochrane është shkrimtare me përvojë e modës për “The Guardian” dhe autore e librit The Ten