5 dyqanet më të mirë vintage në qytetin e Nju Jorkut
Kryeqyteti i certifikuar i modës në botë, Nju Jorku, i qëndron besnik emërtimit të tij kur bëhet fjalë për blerjet. Individualiteti i tij lulëzon falë një skene mahnitëse vintage, duke e kthyer atë në vendin ideal për të hequr dorë nga tendencat e shpejta të modës dhe për të përqafuar qëndrueshmërinë. Por në një qytet kaq të madh mund të jetë e vështirë të kuptosh se ku të fillosh, kështu që këtu po japim një listë të dyqaneve më të mirë vintage që mund të eksploroni:

1. Alexandra Cherouvis, themeluesja e Kalimera, pati një vit të parë mbresëlënës. Dyqani i saj në Brooklyn ndodhet në një hapësirë të dekoruar bukur me shumë dritë dhe veshje të mrekullueshme. Shpesh të importuara nga Evropa, Kalimera ofron produkte lëkure me cilësi të lartë dhe veshje gjithëpërfshirëse, të përshtatshme, si dhe një përzgjedhje veshjesh të përballueshme të ekspozuara jashtë. Jetëgjatësia është një element qendror i filozofisë së dyqanit. “Unë jam e prirë nga artikujt klasikë”, thotë Cherouvis. “Dua që klientët të gjejnë veshje me cilësi të lartë që zgjasin më shumë se një stinë ose trend i caktuar”.

2. Tired Thrift filloi si një “projekt pasioni” për themelueset dhe kushërirat Elona dhe Lediona Zharku. Ato ishin në kolegj kur hapën dyqanin e tyre të parë në Greenpoint, duke siguruar “veshje autentike direkt nga dekadat që frymëzojnë tendencat aktuale të modës”. Dyqani i tyre “për Gjeneratën Z dhe i krijuar nga Gjenerata Z” rezultoi aq i suksesshëm sa ato hapën edhe një dyqan të dytë në Manhatan. Estetika është thjesht Y2K, me veshje të sipërme me slogane gazmore dhe minifunde me masa gjithëpërfshirëse, ku dominon një ndjesi e komunitetit me shitjet përmes Instagram Story, përmbajtjes së TikTok dhe eventeve në shitore për klientët.

3. Madame Matovu ka qenë një element kryesor i West Village që nga viti 2007. Një minierë ari me veshje, aksesorë dhe bizhuteri kostumesh, ku çdo pjesë tregon një histori. Madame Matovu mishëron energjinë e Nju Jorkut me dhuntinë e saj eklektike. Ndërsa qyteti vazhdon të ndryshojë dhe të jetë më tërheqës, pronarja Rosemary Wettenhall ruan një komunitet klientësh besnikë falë shijes së saj të shkëlqyer dhe përvojës shumëvjeçare. E përkryer për çdo të pasionuar pas modës.

4. Rogue, në Lower East Side mund t’ju kujtojë dhomën tuaj të gjumit të fëmijërisë, veçanërisht nëse keni lindur në vitet ‘90. Në këtë dyqan, i cili fokusohet në vitet ‘90 dhe 2000 me një ndjesi për veshjet e vjetra, “nostalgjia do t’ju godasë si një rrufe”, thotë themeluesja Emma Rogue. Ajo kaloi nga shitjet online në një dyqan fizik në vitin 2021 dhe që atëherë ka bërë për vete admirues, përfshirë Post Malone dhe drejtorin kreativ të Moschino, Jeremy Scott. Ky sukses i madh është dëshmi e punës së palodhur të Emmas dhe ndjekjes në rrjetet sociale (shih seritë e njohura të intervistave në rrugë në Instagramin dhe TikTok-une Rogue). Zbuloni rroba shumëngjyrëshe me çmime të përballueshme dhe mos harroni të përshëndetni SpongeBob kur të largoheni.

5. Pronaret e Chess And The Sphinx Sara Chess dhe Erika Perenic zgjedhin me dorën e tyre çdo artikull në këtë shitore intime në Bushwick për një grup klientësh, që ato i përshkruajnë si, “nuk kanë frikë që të bien në sy”. Megjithëse inventari i tyre varion nga vitet ‘50 deri në 2000, shumica e veshjeve datojnë nga vitet ‘70 e tutje dhe janë frymëzuar, sipas fjalëve të pronareve, nga “një imazh i fortë dhe i emancipuar femëror”. Prisni të zbuloni veshje intime cilësore, ndoshta, një ALAÏA të rrallë të viteve ‘90 ose këpucë elegante sateni me taka Prada.
Georgia Moot është modele dhe shkrimtare, e cila jeton mes Londrës dhe Nju Jorkut. Ajo ka shkruar për revista si “British Vogue”, “Refinery29”, “Browns” dhe “Dazed”